Rusia do të reduktojë gazetarët amerikanë në këtë vend
Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara tha se Uashingtoni ka kërcënuar se do të hakmerret pasi gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, u arrestua nën akuza për spiunazh, dhe sugjeroi se mund të jetë koha që të reduktohet numri i gazetarëve amerikanë në Rusi.
Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB) tha më 30 mars se ka arrestuar Gershkovichin në qytetin e Jekaterinburgut dhe ndaj tij ka iniciuar një rast për spiunazh, pasi sipas autoriteteve ruse, gazetari amerikan dyshohet se po mblidhte sekrete shtetërore lidhur me kompleksin industrial ushtarak. SHBA-ja i ka bërë thirrje Rusisë që të lirojë Gershkovichin. Presidenti amerikan, Joe Biden, po ashtu ka bërë thirrje për lirimin e gazetarit. “Amerikanët na kanë kërcënuar me masa hakmarrëse nëse nuk e lirojmë Gershkovichin në një të ardhme të afërt”, tha ambasadori rus në Uashington, Anatoly Antonov. “Do të shohim se si do të veprojnë ata”. Antonov tha se ka pasur një “bisedë të ashpër” me nënsekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, e cila e ka akuzuar Rusinë për arrestim të paligjshëm të Gershkovichit. Antonov tha se Nuland vazhdimisht e ka ndërprerë atë gjatë bisedës. Ambasadori rus tha se mund të jetë koha që të ulet numri i gazetarëve amerikanë që punojnë në Rusi. “Amerikanët e kanë një fjalë shumë të mirë, reciprocitet, në të cilin ata insistojnë gjithmonë”, tha Antonov. “Ndoshta është koha që ne të tregojmë reciprocitet dhe të reduktojmë numrin e gazetarëve amerikanë që punojnë në Moskë dhe në tërësi në mbarë Rusinë, dhe ky numër të jetë po aq sa numri i gazetarëve rusë që punojnë në Uashington dhe Nju Jork”, tha Antonov.