Baerbock i kërkon Pekinit të mos armatosë Rusinë
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i bëri thirrje Kinës që të angazhohet ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në Pekin, ajo këshilloi gjithashtu kundër dërgimit të armëve kineze në Rusi. Në ditën e dytë të vizitës së saj në Kinë, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u takua me kolegun e saj Qin Gang në Pekin për një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh. Në lidhje me luftën në Ukrainë, ministrja gjermane tha se ishte thelbësore “të mos lejohen dërgesat e armëve në Rusi që zgjasin këtë agresion dhe gjithashtu të parandalohet që mallra me përdorim të dyfishtë të përdoren për luftë”. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm kinez u përgjigj: “Ne nuk furnizojmë dhe nuk do të furnizojmë me armë palët në konflikt". Përveç kësaj, ne kontrollojmë eksportin e të ashtuquajturave mallra me përdorim të dyfishtë, të cilat mund të përdoren për qëllime civile dhe ushtarake në përputhje me ligjin, tha Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang. Roli i Kinës në çështjen e Ukrainës është të promovojë pajtimin dhe të çojë përpara negociatat e paqes. “Ne nuk do t’i hedhim benzinë zjarrit”, tha ai.