SHBA po përgatitet t’i shesë Turqisë pajisje për aeroplanët F-16
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden, informoi Kongresin të hënën se planifikon t’i shesë Turqisë përmirësimet e softuerit për sistemet elektronike në aeroplanët luftarakë F-16 të Forcave Ajrore turke, me vlerë prej në 259 milionë dollarë.
Marrëveshja do të mundësojë shitjen e pajisjeve për modernizimin e aeroplanëve turq, pasi krerët e komiteteve përkatëse në Kongresin e SHBA dhanë pëlqimin e tyre jozyrtar. Marrëveshja më e gjerë, sipas së cilës Turqia anëtare e NATO-s dëshiron të blejë miliarda dollarë aeroplanë amerikanë F-16, mbetet e pasigurt për shkak të kundërshtimit në Kongres. Marrëveshja, nëse miratohet zyrtarisht, do të lejojë shitjen e parë të madhe të pajisjeve ushtarake në Turqi të miratuar nga Kongresi në vite. “Turqia është një aleat i vjetër dhe i vlerësuar i NATO-s. Administrata Biden mbështet përpjekjet e Turqisë për të modernizuar sistemet elektronike të flotës së saj të avionëve F-16”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit. Marrëveshja për modernizimin e aeroplanëve F-16 vjen pasi Turqia ratifikoi hyrjen e Finlandës në NATO, dhe pas shenjave të zbutjes së tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë.