OKB: Duhet të vendoset sa më shpejt paqja në Sudan
(last modified Tue, 18 Apr 2023 05:26:44 GMT )
Prill 18, 2023 07:26 Europe/Tirane
  • OKB: Duhet të vendoset sa më shpejt paqja në Sudan

Për situatën kaotike në Sudan ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

Ai u bëri thirrje palëve që janë në konflikt që të ndërpresin menjëherë armiqësitë dhe të fillojnë një dialog për të zgjidhur krizën. “Unë e dënoj ashpër këtë që po zhvillohet në Sudan dhe u bëj thirrje drejtuesve të Forcave të Armatosura sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë që të ndërpresin menjëherë armiqësitë, të rivendosin qetësinë dhe të fillojnë një dialog për zgjidhjen e krizës. Situata tashmë ka çuar në humbje të tmerrshme jetësh, duke përfshirë shumë civilë. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të jetë shkatërrues për vendin dhe rajonin. U bëj thirrje të vendosin sa më shpejt paqen dhe t’i japin fund dhunës”, tha Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Mëngjesin e së hënës kryeqyteti i Sudanit u godit nga një breshëri të shtënash me armë zjarri, të cilat shkaktuan dhjetëra viktima. Edhe pse gjatë së dielës, krerët e ushtrisë së vendit dhe grupi rival paraushtarak RSF respektuan armëpushimin e përkohshëm për të evakuuar të plagosurit, me përfundimin e tij dhuna shpërtheu sërish në të mbarë vendin. Luftime të ashpra shpërthyen fillimisht të shtunën mes forcave të armatosura të udhëhequra nga Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcës së Mbështetjes së Shpejtë, të udhëhequr nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo. Konflikti nisi për shkak se palët nuk po bien dakord mbi mënyrën se si do të përfshihen në ushtri forcat paramilitare ndërsa synohet krijimi i një qeverie kalimtare. Që prej puçit ushtarak të vitit 2021, Sudanin e kanë udhëhequr gjeneralët ushtarakë.

 

Tags