Rusia fiton më shumë terren në betejën për Bakhmutin
Rusia njoftoi se forcat e saj kanë arritur të kapin më shumë territor në qytetin shumë të kontestuar Bakhmut në rajonin e Donetskut.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë të dielën se trupat ruse siguruan dy blloqe të tjera në rrethet perëndimore të Bakhmutit dhe se njësitë ajrore po siguronin përforcime në veri dhe jug. Yevgeny Prigozhin, kreu i forcës private ushtarake Wagner, tha gjithashtu se trupat e tij kontrollojnë 80% të Bakhmutit. Beteja për këtë qytet është zvarritur prej muajsh. Ukraina e ka pranuar tashmë se forcat ruse kishin bërë disa përparime në luftimet e ashpra për Bakhmut, por ende pretendon se situata është nën kontroll. Në një tjetër zhvillim të dielën, kreu i instaluar nga Rusia i rajonit jugor të Ukrainës Kherson mohoi raportet se forcat ukrainase kishin zënë pozicione në bregun lindor të lumit Dnipro. "Nuk ka asnjë pikëmbështetje armike në bregun e majtë (lindor) të lumit Dnipro... ushtria jonë e kontrollon plotësisht atë territor," shkroi Vladimir Saldo në kanalin e tij në Telegram. “Mund të ketë raste të grupeve sabotuese të armikut që zbarkojnë për të bërë një selfie, përpara se të shkatërrohen ose të hidhen në ujë nga luftëtarët tanë”, shkroi ai.