Francezët protestojnë dhunshëm në Ditën e 1 Majit
Qindra mijëra njerëz protestuan sot masivisht në qytetet kryesore të Francës, kundër qeverisë dhe reformës së pensioneve të presidentit Emmanuel Macron, teksa sindikatat zotoheshin të mos ndalonin luftën ndaj ligjeve arbitrare.
Në demonstratën e Parisit kishte përplasje të ashpra me protestuesve dhe policëve në numra të mëdhenj, ndërsa disa vitrina dyqanesh u thyen në rrugët qendrore. Disa dhjetëra arrestime u bënë nga policia që herë pas here bastiste tubimet e protestuesve në Paris. Emmanuel Macron u përball sot me protesta masive në të gjithë Francën, në një kohë kur po kërkon ta bashkojë vendin e përçarë nga reforma e tij e shume diskutuar e pensioneve, që ka shkaktuar zemërim e trazira sociale. Muajin e kaluar shefi i Elizesë firmosi ligjin për rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 64, pavarësisht grevave disa mujore kundër nismës. Macron shpresonte në një fashitje të pakënaqësisë popullore të kthyer në njërën prej sfidave më të mëdha të mandatit të tij të dytë. Por protestuesit e kanë treguar qartë se çfarë mendojnë për këto përpjekje të tij, duke përplasur nëpër rrugë tenxhere e tiganë. Sindikatat dhe opozita vendase theksojnë se pjesëmarrja masiven në tubimet e 1 Majit, i tregoi kreut të shtetit francez se kundërshtimi i tyre ndaj reformës së tij, do të vazhdojë.