Lavrov: Perëndimi po luan me zjarr
Kryediplomati rus paralajmëroi shtetet perëndimore se “po luajnë me zjarr”, pasi janë pajtuar që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë të prodhimit amerikan, F-16.
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, tha se ky vendim “është një përshkallëzim i papranueshëm” i konfliktit, teksa shteti i tij po vazhdon pushtimin e Ukrainës. “Pa dyshim, ata po luajnë me zjarr”, tha Lavrov gjatë një interviste për një televizion rus, që u publikua në rrjetet sociale. Ai tha se ky vendim i Uashingtonit, Londrës dhe “satelitëve të tyre në Bashkimin Evropian” synon “të dobësojë Rusinë”. Së fundmi, Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që të mundësohet trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16. Megjithatë, Uashingtoni nuk ka treguar nëse do të dërgojë në Ukrainë këto lloje avionësh. Pas vendimit për lejimin e trajnimit të pilotëve ukrainas, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se trajnimi nuk nënkupton që aleanca ushtarake është pjesë e konfliktit. Moska gjithashtu këmbëngul se vendet perëndimore duhet të përmbahen nga konfrontimi i drejtpërdrejtë ushtarak midis forcave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA dhe trupave ruse. Në lidhje me këtë, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha javën e kaluar se përfshirja më e gjerë ushtarake dhe ofrimi i armëve më shkatërruese dhe të avancuara nga vendet perëndimore në Ukrainë rrit probabilitetin e një "apokalipsi bërthamor". “Sa më shumë armë të furnizohen, aq më e rrezikshme do të jetë bota”, paralajmëroi ish-presidenti rus. “Dhe sa më shkatërruese të jenë këto armë, aq më i mundshëm bëhet skenari i asaj që zakonisht quhet apokalipsi bërthamor,” tha Medvedev.