Parlamenti Evropian dënon Hungarinë
Parlamenti Evropian miratoi sot një rezolutë që dënon “përpjekjet e qëllimshme dhe sistematike” të Hungarisë për të minuar vlerat e Bashkimit Evropian.
PE shprehu shqetësimin me faktin se presidencën e ardhshme të Unionit do ta merr shteti hungarez në vitin 2024. Në rezolutën e miratuar me 442 vota “pro”, 144 “kundër” dhe 33 abstenime, ligjvënësit e BE-së vunë në pikëpyetje besueshmërinë e Hungarisë për të përmbushur rolin e presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian në gjysmën e dytë të 2024-s. Anëtarët e Parlamentit Evropian theksuan rëndësinë e rolit të kryetarit të Këshillit në “përmirësimin e punës së Këshillit në legjislacionin e BE-së, sigurimin e vazhdimësisë së agjendës së BE-së dhe përfaqësimin e Këshillit në marrëdhëniet me institucionet e tjera të BE-së”. Parlamenti Evropian “ngre pyetjen se si Hungaria do të jetë në gjendje të përmbushë me besueshmëri këtë detyrë në vitin 2024, duke pasur parasysh mospërputhjen e saj me ligjin dhe vlerat evropiane, si dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë”, thuhet në rezolutë. Prandaj, eurodeputetët i kërkojnë Këshillit të BE-së “të gjejë një zgjidhje të përshtatshme sa më shpejt të jetë e mundur” dhe vërejnë se PE “mund të marrë masat e duhura nëse një zgjidhje e tillë nuk gjendet”. Ligjvënësit evropianë shprehin gjithashtu shqetësimin për situatën në të cilën vlerat evropiane në Hungari vazhdojnë të shemben, pavarësisht aktivizimit të nenit 7 të Kushtetutës së BE-së kundër atij vendi. Parlamenti Evropian shprehu gjithashtu shqetësim për fondet e ngrira të BE-së dhe vonesën e reformave përkatëse në Hungari.