Protesta për pensionet në Francë
Mijëra francezë vijuan protestat e tyre të dhunshme kundër reformës së presidentit Emanuel Macron, për rritjen e moshës së pensioneve me dy vite, ku nuk munguan as trazirat në godinat më të rëndësishme të vendit.
Demonstruesit sulmuan selinë e Lojërave Olimpike të Parisit 2024, ndërsa sindikatat bënë një përpjekje të fundit për të ushtruar presion ndaj ligjvënësve për ndryshimin e vendimit. “Lufta do të vazhdojë”, deklaroi Jean-Luc Melenchon, kreu i partisë së majtë, teksa mori pjesë në demonstratën kundër reformës së pensioneve në Paris. Nga ana tjetër trazirat nuk munguan as në qytete të tjera të Francës, pasi në Nante shpërthyen përleshje midis demonstruesve dhe policisë, teksa mijëra njerëz marshuan për ditën e 14-të radhazi kundër reformës së pensioneve. Disa protestues kanë kërcënuar se do të ndërpresin Lojërat Olimpike të verës së ardhshme nëse Macron nuk tërhiqet. Pankartat që shkruanin “Jo pension, jo Olimpiadë” u panë kudo. Macron ka deklaruar se ishte e nevojshme të rritej mosha ligjore e pensionit me dy vite për të plotësuar një deficit pensioni në rritje. Megjithatë, sindikatat thonë se paratë mund të gjenden diku tjetër, si për shembull duke taksuar më shumë të pasurit.