Rusia e quan "të pasuksesshëm" kundërsulmin e Ukrainës
Rusia e ka quajtur "të pasuksesshme" një kundërofensivë të Ukrainës kundër forcave të saj, por forcat ukrainase pretenduan se kanë bërë përparime kundër trupave ruse.
Ministria ruse e mbrojtjes tha të shtunën se në 24 orët e fundit, forcat e Ukrainës filluan sulme në jug të Donetsk dhe në rajonet e Zaporizhzhias, si dhe në zonën e qytetit lindor Bakhmut, por përpjekjet e tyre për të rimarrë ndonjë territor dështuan. Forcat ukrainase, megjithatë, pohuan të shtunën se kanë avancuar me rreth një milje në disa pjesë të vijës së frontit. Kolonel Serhiy Cherevaty, zëdhënësi i komandës ushtarake lindore, tha se ushtria ukrainase kishte sulmuar forcat ruse në gjashtë raste pranë Bakhmutit gjatë 24 orëve të fundit. Ministria ruse e mbrojtjes tha se i zmbrapsi me sukses të gjitha sulmet, por megjithatë nuk komentoi situatën rreth qytetit Bakhmut. Presidenti rus Vladimir Putin pranoi të premten se forcat ukrainase me siguri kishin filluar kundërsulmin e tyre, por se çdo përpjekje për avancim kishte dështuar, me një kosto të rëndë në viktima. Në përgjigje, Zelensky tha: "Është interesante se çfarë tha Putin për kundërsulmin tonë. Është e rëndësishme që Rusia ta ndiejë gjithmonë se nuk u ka mbetur shumë kohë."