Rusia ka kapur tanke gjermane dhe automjete luftarake amerikane në Ukrainë
Rusia ka publikuar video të reja që tregojnë tanket e kapur gjermane Leopard dhe automjetet amerikane Bradley në Ukrainë duke u inspektuar nga trupat ruse.
Moska tha të martën se kishte kapur disa nga këto mjete të blinduara luftarake në rajonin e Zaporizhzhias. "Tanket Leopard dhe automjetet luftarake të këmbësorisë Bradley janë trofetë tanë. Pajisjet e forcave të armatosura ukrainase janë kapur në rajonin e Zaporizhzhias," tha ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë. Zaporizhzhia është një nga disa zona ku forcat e Kievit janë përpjekur të nisin një ofensivë që Rusia tha se ishte zmbrapsur nga forcat e saj. Videoja tregoi "ushtarakët e grupit Vostok duke inspektuar tanket e armikut dhe automjetet luftarake të këmbësorisë të kapura në betejë", thuhet në deklaratë. Ministria ruse e mbrojtjes shtoi se disa nga automjetet e kapur kishin motorë funksionalë, duke sugjeruar se betejat në të cilat ishin përfshirë trupat ruse ishin të shkurtra dhe se forcat e Kievit ishin "ikur" nga pozicionet e tyre. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius i tha transmetuesit RTL se "ne nuk do të jemi në gjendje të zëvendësojmë çdo tank që tani është jashtë funksionit". Pistorius nuk konfirmoi nëse tanket e paraqitura në video ishin Leopard të prodhimit gjerman. Megjithatë, ai tha se "për fat të keq është natyra e luftës që armët shkatërrohen, tanket shkatërrohen dhe njerëzit vriten".