Qershor 18, 2023 16:47 Europe/Tirane
  • Italianët protestojnë kundër luftës në Ukrainë

Italianët gjatë një proteste të gjerë, protestuan kundër vazhdimit të dërgimit të armëve në Ukrainë dhe politikave ekonomike dhe sociale të kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Agjencia e lajmeve Iran Press njoftoi se rreth 20,000 njerëz nga sfera të ndryshme të jetës në Itali demonstruan të shtunën në mbrëmje në rrugët qendrore të Romës, kryeqyteti i Italisë, në mbrojtje të punësimit dhe kundërshtimit të luftës në Ukrainë.

Demonstruesit italianë protestuan gjithashtu kundër rritjes së inflacionit, mungesës së sigurisë së punës, pagave të ulëta dhe problemeve të kujdesit shëndetësor.

Michele Gubitosa, një anëtar i parlamentit italian, në një prononcim për agjencinë e lajmeve Iran Press gjatë zhvillimit të kësaj proteste antiqeveritare në Romë, deklaroi: "Kjo demonstratë u organizua për të kundërshtuar vendimet e gabuara të qeverisë, sepse qeveria punon në dëm të shtresave të dobëta të shoqërisë dhe vetëm për të mirën e të pasurve."

Demonstruesit bërtisnin parulla anti-qeveritare dhe kërkuan të ndalohej dërgimi i armëve në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë.

Një protestuese e moshuar italiane i tha gazetarit të Iran Press: “Ne morëm pjesë në demonstratë për të kundërshtuar politikat e kësaj qeverie luftënxitëse. Në vend që të shpenzojë buxhetin e vendit për luftën në Ukrainë, qeveria duhet ta shpenzojë atë për përmirësimin e jetës së njerëzve, veçanërisht në fushën e arsimit dhe edukimit".

Duke mbajtur flamuj paqeje dhe mbishkrime kundër luftës në Ukrainë dhe kundër NATO-s, demonstruesit brohorisnin: "Ndalo luftën, lufta është çmenduri".

Roberto Fico, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Italisë, i tha gazetarit të Iran Press në margjinat e kësaj proteste antiqeveritare në Romë: "Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për paqen në Ukrainë. Palët në konflikt duhet të ulen rreth tryezës së bisedimeve, sepse e vetmja rrugë është paqja".

Pas më shumë se një viti nga lufta e Ukrainës, është bërë gjithnjë e më e dukshme se vazhdimi i kësaj lufte ka rritur ndarjet sociale dhe politike, veçanërisht ka shkaktuar rritjen e problemeve ekonomike në Itali dhe vende të tjera evropiane.

 

Tags