Sudan: Refuzohet armëpushimi dhe konfliktet vazhdojnë
(last modified Wed, 28 Jun 2023 08:44:42 GMT )
Qershor 28, 2023 10:44 Europe/Tirane
  • Sudan: Refuzohet armëpushimi dhe konfliktet vazhdojnë

Pas refuzimit të propozimit të armëpushimit nga ushtria sudaneze, në këtë vend të trazuar afrikan vazhdojnë përplasjet mes forcave të ushtrisë dhe forcave të reagimit të shpejtë, gjë që ngriti shqetësimin e Kombeve të Bashkuara për situatën e rëndë të civilëve.

 

Që nga 15 prilli, Sudani ka dëshmuar një konflikt midis ushtrisë nën komandën e Abdul Fattah al-Barhan dhe forcave të reagimit të shpejtë nën komandën e Muhammad Hamdan Daghlo (Hamidati), duke përfshirë kryeqytetin Khartoum dhe qytete të tjera në veri dhe perëndim të këtij vendi; Deri më tani, secila nga palët në konflikt ka propozuar disa herë armëpushim, gjë që është shkelur nga pala tjetër dhe situata e sigurisë në këtë vend është ende e brishtë. Komandanti i forcave të reagimit të shpejtë mbrëmjen e së hënës njoftoi se do të zbatojë një armëpushim të njëanshëm për 2 ditë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Pas deklaratës së Hamidatit, forcat e reagimit të shpejtë dje lëshuan një deklaratë ku thanë: Për të respektuar ligjet e të drejtave të njeriut në këto ditë të shenjta, kanë liruar 100 të burgosur të ushtrisë sudaneze. Ushtria sudaneze hodhi poshtë armëpushimin e shpallur nga komandanti i forcave të reagimit të shpejtë të vendit me rastin e Ditës së Arafatit dhe Kurban Bajramit dhe njoftoi se nuk do të marrim pjesë në armëpushimin e shpallur nga milicitë e reagimit të shpejtë, sepse ata nuk janë besnike ndaj angazhimeve te tyre.

 

Pavarësisht shpalljes së armëpushimit nga komandanti i forcave të reagimit të shpejtë të Sudanit, zonat në perëndim të Khartoum-it mëngjesin e sotëm ishin skenë e konflikteve me armë të rënda. Të hënën gjithashtu kryeqyteti i Sudanit dëshmoi një konflikt midis ushtrisë dhe forcave të reagimit të shpejtë. Ndërkohë ushtria shënjestroi vendndodhjet e forcave të reagimit të shpejtë në Khartoum, Omdurman dhe Khartoum Bahri. Komandanti i ushtrisë sudane akuzoi Forcat e Reagimit të Shpejtë për krime lufte dhe u bëri thirrje të rinjve sudanezë dhe kujtdo që është i aftë të mbajë armë të bashkohet me radhët e ushtrisë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët paralajmëroi të martën se një milion qytetarë sudanezë mund të largohen nga vendi afrikan për shkak të konfliktit civil. Beteja midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë ka vazhduar për më shumë se dy muaj, duke shkatërruar kryeqytetin dhe duke përhapur dhunë e cila ka rezultuar në arratisjen e më shumë se 2.5 milionë sudanezëve. Gazeta Al-Sharq Al-Awsat njoftoi gjithashtu se konflikti midis grupeve ushtarake ka bërë që rreth 600,000 sudanezë të ikin në vendet fqinje, duke përfshirë Egjiptin, Çadin, Sudanin e Jugut dhe Republikën e Afrikës Qendrore.

 

UNICEF, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët ka shprehur shqetësimin për fatin e më shumë se 100,000 fëmijëve sudanezë që kanë kërkuar strehim në vendet fqinje për shkak të konflikteve të fundit në vendin e tyre. Ministria e Shëndetësisë e Sudanit në fillim të këtij muaji njoftoi se që nga fillimi i konfliktit, rreth 3,000 njerëz janë vrarë dhe 6,000 janë plagosur. Përpjekjet ndërkombëtare për t'i dhënë fund konfliktit në Sudan deri më tani nuk kanë qenë të suksesshme.