Grupi Wagner dorëzon armët e tij tek ushtria ruse
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të mërkurën njoftoi se grupi Wagner po dorëzon armët e tij tek ushtria e vendit.
Sipas Reuters, ministria në një deklaratë njoftoi se në mesin e armëve të dorëzuara, mund të përmenden më shumë se 2000 pajisje ushtarake, duke përfshirë tanke, raketahedhës, artileri të rëndë dhe sisteme mbrojtëse. Gazeta britanike Independent pretendon se çarmatimi i grupit Wagner ndoshta do të thotë fundi i operacioneve të grupit në Ukrainë. Kjo çështje është vënë në zbatim pas marrëveshjes së kreut të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe pas ndalimit të rebelimit afatshkurtër të këtij grupi ushtarak privat. Të premten, dy javë më parë, Yevgeny Prigozhin, komandanti i grupit ushtarak privat të Wagner-it, i cili është aleati i Rusisë në luftën kundër Ukrainës, njoftoi se ishte në shënjestër të sulmeve me raketa nga ushtria ruse. Pas këtij incidenti, Prigozhin me forcat e tij filloi të përparonte drejt Moskës. Gjatë kryengritjes së 23-24 qershor, forcat e grupit Wagner morën kontrollin e qytetit të Rostovit në Rusi dhe rrëzuan një numër të papërcaktuar helikopterësh ushtarakë. Ndërsa kryengritja ishte duke u zhvilluar, Putin e përshkroi atë si një "thikë pas shpine" dhe një akt tradhtie që rrezikonte ta zhyste vendin në luftë civile. Por sipas marrëveshjes që i dha fund atij rebelimi, Kremlini njoftoi se për të shmangur gjakderdhjen, Prigozhin do të shkonte në Bjellorusi dhe çështja penale kundër tij do të hiqej. Luftëtarëve të tij gjithashtu iu dha mundësia t'i bashkoheshin atij në mërgim, ose t'i bashkoheshin forcave të rregullta ruse ose të ktheheshin në shtëpi. Nga ana tjetër, Prigozhin tha se qëllimi i këtij rebelimi nuk ishte përmbysja e qeverisë ruse, por për të ndëshkuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e Shtabit Valery Gerasimov për gabimet dhe veprimet e tyre joprofesionale në Ukrainë. Rebelimi i shkurtër i grupit të Wagner-it të udhëhequr nga Prigozhin u ndal me negociatat dhe ndërmjetësimin e Presidentit Bjellorus Lukashenko dhe Prigozhin urdhëroi luftëtarët e tij të tërhiqeshin në kampet e tyre. Prigozhin duhej të vendosej në Bjellorusi, por presidenti bjellorus Alexander Lukashenko më herët njoftoi se Prigozhin ishte kthyer në Rusi. Moska konfirmoi të hënën se Prigozhin dhe 34 komandantë të lartë të grupit u takuan me presidentin rus Vladimir Putin. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se komandantët e Wagner, ndërsa deklaruan besnikërinë e tyre ndaj Putinit, thanë se ishin të gatshëm të "vazhdonin luftën për atdheun e tyre".