Akuza të reja ndaj Trump
Prokurori i Posaçëm i SHBA ngriti akuza të reja pas hetimeve të Departamentit të Drejtësisë ndaj ish Presidentit Donald Trump për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, që rezultuan në protestën e dhunshme të përkrahësve të tij ndaj Kapitolit.
Akt-padia përfshin akuza për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrje ndaj dëshmitarëve. Kjo është akt-padia e tretë kriminale ndaj ish presidentit amerikan, i cili ka vënë sërish kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Akuzat e reja janë të pashembullta, për pretendimin e tyre se një ish president, u përpoq të minojë bazat e demokracisë në një përpjekje të dëshpëruar për të mos u larguar nga pushteti, e cila më në fund dështoi. Akt-paditë kriminale ndaj Trump, që iu shtohen disa padive civile ndaj tij, përkasin me fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Nëse Trump shpallet fajtor për këtë rast, apo për ndonjë prej çështjeve të tjera të ngritura ndaj tij, kjo nuk e ndalon atë për të vazhduar garën, apo për t’u bërë president, nëse fiton zgjedhjet.