Takimi i paqes në Ukrainë fillon në Xheddah
Takimi i dytë për rivendosjen e paqes në Ukrainë po zhvillohet në Xheddah të Arabisë Saudite, ku po marrin pjesë më shumë se 40 vende.
Në mesin e pjesëmarrësve janë zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kina, India, Afrika e Jugut dhe Turqia. Rusia nuk ishte e përfaqësuar. Pjesëmarrësit në bisedimet e paqes për Ukrainën në Arabinë Saudite refuzuan të bëjnë një deklaratë të përbashkët. Takimi ka të ngjarë të përqendrohet më shumë rreth fazave të bisedimeve sesa hapave konkretë drejt paqes, pasi Ukraina dhe Rusia vazhdojnë të shprehin kushte që janë të papranueshme për të dy vendet. Një zyrtar i lartë nga zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se bisedimet e paqes, deri më tani, kanë qenë produktive. “Ne patëm një bisedë jashtëzakonisht të sinqertë, të hapur, gjatë së cilës përfaqësuesit e secilit vend mund të shprehnin pozicionin dhe vizionin e tyre”, tha Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës. Ai shtoi se të gjithë pjesëmarrësit demonstruan përkushtimin e vendeve të tyre ndaj parimeve të Kartës së OKB-së dhe i përshkroi konsultimet e paqes si “shumë produktive”.