Neutralizohet vrasja e Volodimir Zelenski
(last modified Tue, 08 Aug 2023 07:34:32 GMT )
Gusht 08, 2023 09:34 Europe/Tirane
  • Neutralizohet vrasja e Volodimir Zelenski

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës njoftoi dje se kishte arritur të arrestonte një spiune ruse që planifikonte të vriste presidentin Zelenski.

Sipas Guardian, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) në një deklaratë të hënën njoftoi se ka arrestuar një informatore rus me akuzën e komplotit për të vrarë presidentin Volodimir Zelenski.  Sipas kësaj media, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës pretendon se informatorja në fjalë ishte një shtetase ruse e cila kishte planifikuar të vriste presidentin e Ukrainës. Një burim i informuar në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës, i cili nuk deshi t’i përmendet emri, tha se informatorja kishte mbledhur informacione për vizitën e Presidentit të Ukrainës në rajonin e Mykolaiv në fund të muajit të kaluar për të planifikuar vrasjen e Zelenski përmes një sulmi ajror. Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës pretendoi se kishte mësuar se gruaja po përpiqej të "identifikonte vendndodhjen e sistemeve të luftës elektronike dhe depove të municioneve" me qëllim që të  përgatiste një "sulm të ri ajror masiv". Gruaja thuhet se ka jetuar në qytetin e vogël jugor Ochakov në rajonin e Mykolaiv dhe ka punuar më parë si shitëse në një dyqan në një bazë ushtarake. Ajo me sa duket po fotografonte vendndodhjen dhe po përpiqej të merrte informacion nga kontaktet personale në zonë. Sipas një deklarate të lëshuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, në prag të mbërritjes së Zelenski në rajon, informatorja është përpjekur të përpilonte një listë me kohën dhe vendet ku ishte planifikuar të shkonte presidenti.  Oficerët e sigurisë ukrainase më pas e arrestuan gruan teksa ajo u përpoq të kalonte të dhënat e inteligjencës tek shërbimet sekrete ruse. Sipas kësaj deklarate, e akuzuara mund të dënohet deri në 12 vjet burg. Megjithatë, Moska nuk ka lëshuar një deklaratë në lidhje me këtë rast. Ukraina thotë se deri tani ka penguar shumë komplote për të vrarë presidentin Volodimir Zelenski.  Në fillim të luftës, më shumë se 400 mercenarë rusë nga grupi Wagner në shkurt 2022 mbërritën në Kiev me urdhër për të vrarë Zelenski si pjesë e "strategjisë të prerjes së kokës".  Shërbimi i inteligjencës i Ukrainës pretendoi në mars të vitit të kaluar se Zelenski u kishte mbijetuar tre tentativave për vrasje brenda një jave dhe se me dhjetëra të tjerë janë neutralizuar deri më tani.

 


 

Tags