Zelensky: Do të marrim 42 aeroplanë F-16
Kryeministri holandez, Mark Rutte ka thënë se Holanda dhe Danimarka do të dërgojnë një numër të paspecifikuar aeroplanësh luftarakë F-16 në Ukrainë sapo të plotësohen kushtet për transferim.
Ky premtim i bërë gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Holandë, është premtimi i parë real i dërgimit të F-16 tek Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai vjen disa ditë pasi SHBA-ja miratoi dërgimin e aeroplanëve luftarakë nga Holanda dhe Danimarka. Edhe pse Holanda nuk njoftoi për numrin e aeroplanëve që do t’u dërgojë ukrainasve, lideri ukrainas e bëri këtë në rrjetin social X. “Mark Rutte dhe unë arritëm një marrëveshje për numrin e aeroplanëve F-16 që do të transferohen në Ukrainë pasi pilotët dhe inxhinierët tanë të përfundojnë trajnimin e tyre. 42 aeroplanë dhe ky është vetëm fillimi”, shkroi Zelensky. Ukraina aktualisht ka një forcë të vogël ajrore të bazuar në aeroplanët sovjetikë, por ato nuk mund të krahasohen me ekuivalentët rusë. Gjithashtu, mësohet se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka mbërritur në Danimarkë pas vizitës së tij në Holandë. Ai u prit në bazën ajrore Skrydstrup në qytetin Vojens nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe princesha e kurorës Mary.