SHBA urdhëron qytetarët në Bjellorusi të “largohen menjëherë”
Në një mesazh të postuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Minsk thuhej se “qytetarët amerikanë në Bjellorusi duhet të largohen menjëherë“.
Thirrja vjen pasi shumë vende, përfshirë Lituaninë, mbyllën pikat kufitare me Bjellorusinë, një aleat i vendosur i presidentit rus Vladimir Putinit. “Konsideroni të niseni përmes pikave kufitare të mbetura me Lituaninë dhe Letoninë, ose me aeroplan,” tha ambasada amerikane. SHBA gjithashtu paralajmëroi qytetarët që të mos udhëtojnë në Bjellorusi, për shkak të mbështetjes që Minsku i ka dhënë pushtimit rus të Ukrainës dhe faktit që Uashingtoni ka aftësi të kufizuara për të ndihmuar njerëzit që jetojnë ose udhëtojnë atje. Ambasada e SHBA në Minsk tha se nëse dikush vendos të udhëtojë në Bjellorusi, ata nuk duhet të mbështeten te qeveria e SHBA për ndihmë. Katër pika kufitare me Lituaninë mbeten të hapura, ndërsa qeveria – së bashku me Poloninë dhe Letoninë – kanë thënë se mbylljet mund të vijojnë më tej.