Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka ripohuar se Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe vazhdon ta konsiderojë atë si të paligjshmëm.
“Garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së të afërmve tanë tatarë të Krimesë, të cilët janë një nga popujt vendas të Krimesë, është ndër prioritetet tona”, tha ai në një video-mesazh për Samitin e Tretë të Platformës së Krimesë, që po mbahet në Kiev të Ukrainës. Platforma e Krimesë është një mekanizëm koordinues ndërkombëtar i Ukrainës për të tërhequr më shumë vëmendjen globale ndaj aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Erdogan tha se fundi i luftës Rusi-Ukrainë dhe rivendosja e paqes dhe stabilitetit në pellgun e Detit të Zi do të sjellë një lehtësim jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë botën. “Ne gjithashtu mbajmë qëndrimin tonë në favor të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Ne vazhdimisht theksojmë se Krimea është pjesë e Ukrainës në çdo platformë, përfshirë në OKB”, tha presidenti turk. Ai deklaroi se Turqia gjithashtu vazhdon përpjekjet për të rigjallëruar Iniciativën e Drithit të Detit të Zi dhe se gjatë këtij procesi Ankaraja beson se është thelbësore të shmangen hapat që do të përshkallëzojnë më tej tensionet në rajon.