Zjarret në Greqi dalin jashtë kontrollit
(last modified Sun, 27 Aug 2023 18:12:31 GMT )
Gusht 27, 2023 20:12 Europe/Tirane
  • Zjarret në Greqi dalin jashtë kontrollit

Për të nëntën ditë vijon beteja me zjarret në rajonin Evros të Greqisë, me frontin kryesor në zonën e Leptokaryas.

Shpërthime të zjarrit ka pasur gjatë natës në pyllin e Dadias, ku situata po shkakton shumë probleme. Forca tokësore zjarrfikëse, së bashku me zjarrfikës vullnetarë dhe Forca të Armatosura po marrin pjesë në operacionet e shuarjes së zjarrit, ndërsa 4 avionë dhe 3 helikopterë kanë nisur hedhjen e ujit që në dritën e parë të ditës. Zëvendësguvernatori i Evros, Dimitris Petrovich, tha për median greke ERT se është një situatë shumë e vështirë, e cila ka shkaktuar shkatërrime të panumërta. "Nga e hëna do ndryshojnë erërat, kështu që kërcënimi do rritet dhe më pas nuk e dimë se si dhe nëse do të mund të ndalet avancimi i frontit të zjarrit”, ka theksuar ai, pasi nga nesër pritet që erërat të kthehen në drejtim të jugut. I pyetur se pse nuk shuhet dot zjarri në Evros, zëvendësguvernatori tha se pylli i Dadias nuk është pastruar asnjëherë. “Pylli i Dadias është i virgjër.  Pylli nuk ishte pastruar kurrë. Duhet të menaxhohet ndryshe. Le të përgjigjen përgjegjësit e menaxhimit të pyjeve. Në një moment duhet të ndajmë zjarret e pyjeve nga ato urbane, të ketë një strukturë tjetër që do të ketë ndihmën e shërbimeve pyjore”, shtoi ai.