Konfirmohet vdekja e Prigozhin
Komiteti Hetimor i Rusisë deklaroi të dielën se kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin ka vdekur.
Analizat e ADN-së konfirmojnë trupin e shefit të Wagner, mes viktimave të avionit që u rrëzua të mërkurën, sipas zyrtarëve rusë. Komiteti Hetues njoftoi se analizat gjenetike të Prigozhin dhe viktimave që udhëtonin në avion, janë të njëjta me ato në listën e pasagjerëve të fluturimit. “Ekzaminimet molekularo-gjenetike kanë përfunduar si pjesë e hetimit për rrëzimin e avionit në rajonin Tver. Nga rezultatet, u konstatuan se identitetet e 10 viktimave korrespondojnë me listën e udhëtarëve”, thuhet në njoftimin e Komitetit Hetues. Avioni privat i Prigozhin u rrëzua në veri-perëndim të Moskës më 25 gusht, dhe të gjithë anëtarët e bordit humbën jetën. Mes viktimave, ishin figura të rëndësishme të grupit mercenar të krijuar nga Prigozhin. Kremlini mohon përfshirjen në aksidentin ajror, ndërsa Komiteti Hetues thotë se po vazhdon hetimin për ngjarjen. Një vlerësim paraprak i inteligjencës amerikane arriti në përfundimin se një shpërthim i qëllimshëm shkaktoi rrëzimin e avionit, në të cilin ndodhej udhëheqësi grupit mercenar Wagner. Një nga zyrtarët amerikanë tha se vlerësimet paraprake tregojnë se Yevgeny Prigozhin ishte “me shumë gjasë” në shënjestër dhe se shpërthimi përputhet me “historinë e gjatë të Putinit për t’i mbyllur gojën kritikëve të tij”. Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të bënin komente, nuk dhanë asnjë detaj mbi atë se çfarë e shkaktoi shpërthimin. “Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë ndodhi, por nuk jam i befasuar”, u tha gazetarëve presidenti amerikan Joe Biden pas rrëzimit të avionit. Shumë gjëra po ndodhin në Rusi dhe Putini qëndron pas tyre, shtoi Biden. Megjithatë, Kremlini e ka mohuar vrasjen e Prigozhin dhe i ka përshkruar si "gënjeshtra absolute" vlerësimet e inteligjencës perëndimore për përfshirjen e mundshme të Putinit në këtë ngjarje. Dy muaj më parë, Prigozhin ishte në krye të rebelimit të Wagnerit kundër forcave të armatosura ruse, duke pushtuar qytetin jugor të Rostovit dhe duke kërcënuar se do të marshonte drejt Moskës. Por përplasja u zbut pasi u arrit një marrëveshje që çoi në zhvendosjen e luftëtarëve të Prigozhin dhe Wagner në Bjellorusi. Tashmë, mbetet i paqartë fati i Wagner. Vdekja e liderit, vë në pikëpyetje të ardhmen e ushtrisë së tij private, që luftoi përkrah forcave ruse në Ukrainë, përpara rebelimit jetëshkurtër kundër udhëheqësve ushtarakë në Moskë.