Erdogan vizitë në Rusi për ringjalljen e marrëveshjes së drithërave
https://parstoday.ir/sq/news/world-i148060-erdogan_vizitë_në_rusi_për_ringjalljen_e_marrëveshjes_së_drithërave
Turqia njoftoi se presidenti Recep Tayyip Erdogan “shumë shpejt” do të vizitojë Rusinë, ku do të zhvillojë bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për ringjalljen e marrëveshjes për eksportin e drithërave ukrainase, marrëveshje që mund të përdoret si trampolinë për negociata më të gjera të paqes me Ukrainën.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 29, 2023 15:43 Europe/Tirane
  • Erdogan vizitë në Rusi për ringjalljen e marrëveshjes së drithërave

Turqia njoftoi se presidenti Recep Tayyip Erdogan “shumë shpejt” do të vizitojë Rusinë, ku do të zhvillojë bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për ringjalljen e marrëveshjes për eksportin e drithërave ukrainase, marrëveshje që mund të përdoret si trampolinë për negociata më të gjera të paqes me Ukrainën.

Zëdhënësi i partisë së Erdoganit, Omer Celik, u tha gazetarëve se ky takim do të mbahet në Soçi, qytet rus në Detin e Zi, dhe do të fokusohet në krizën aktuale ushqimore. “Siç e dini, Erdogan do të vizitojë shumë shpejt Soçin”, tha Celik për gazetarët. Erdogan mund të takohet me Putinin më 8 shtator. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se përgatitjet për takimin janë “intensive”, por nuk tregoi detaje për kohën dhe vendin ku do të takohen dy liderët. Erdogan ka përdorur marrëdhëniet e tij të mira me Moskën dhe Kievin dhe ka tentuar që t’i bindë të dyja palët të zhvillojnë bisedime formale të paqes. Turqia ndihmoi në negocimin e marrëveshjes së parë mes Ukrainës dhe Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022. Marrëveshja mundësonte eksportin e drithërave nga tri porte ukrainase në Detin e Zi. Rusia dhe Ukraina janë eksportuese të mëdha të produkteve bujqësore dhe kjo marrëveshje mundësoi uljen e çmimeve botërore të ushqimit. Megjithatë, Moska u largua nga marrëveshja muajin e kaluar duke thënë se nuk ishin plotësuar kërkesat e saj që synojnë të lehtësojnë eksportin e produkteve bujqësore dhe plehrave kimike të Rusisë.