Moska pranon se avioni i Prigozhin mund të jetë rrëzuar qëllimisht
Kremlini zyrtar u shpreh se hetuesit janë duke e konsideruar mundësinë që avioni, i cili po e barte shefin e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, të jetë rrëzuar qëllimisht.
Kjo është hera e parë që Rusia e pranon në mënyrë kaq të qartë se ka mundësi që Prigozhin u vra qëllimisht. “Është e qartë se po konsiderohen versione të ndryshme, përfshirë versionin, ju e dini se për çfarë e kam fjalën – të themi, një ligësi e qëllimshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov më 30 gusht kur u pyet për hetimin. I pyetur nëse Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil do ta hetojë rrëzimin e avionit, Peskov tha se rrethanat e bëjnë hetimin të veçantë, megjithëse e pranoi se hetuesit ende nuk kanë ardhur në përfundim formal se çfarë e ka shkaktuar saktësisht rrëzimin e avionit. “Të presim për rezultatet e hetimit rus”, theksoi Peskov. Avioni privat Embraer, me të cilin po udhëtonte Prigozhini, u rrëzua në veri të kryeqytetit rus duke i vrarë të gjithë 10 personat në bord më 23 gusht. Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Prigozhini e mori kontrollin e qytetit jugor të Rusisë, Rostov, në fund të qershorit, duke e nisur një kryengritje që e tronditi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Prigozhin u varros privatisht në Shën Petersburg të martën me forcat ruse të sigurisë që i dhanë akses publikut në vendin e varrimit të tij. Në kohën e rebelimit të shkurtër, presidenti rus Vladimir Putin e quajti Prigozhin një tradhtar, por ra dakord për një marrëveshje në interes të shmangies së gjakderdhjeve të mëdha, duke lejuar Prigozhin dhe besnikët e tij të largoheshin nga Rusia. Më herët, disa media perëndimore pretenduan se Kremlini mund të ketë qenë pas rrëzimit të avionit të Prigozhin, duke bërë që Moska ta denoncojë këtë si "spekulim" dhe si "një gënjeshtër totale".