Blinken viziton Ukrainën, reagon Rusia
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Kievit i duhet një "parandalues i fortë" në luftën e tij me Rusinë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të financojnë ish-republikën sovjetike.
Blinken mbërriti të mërkurën në Kiev për një vizitë dy-ditore në mes të një kundërofensive të ashpër të Ukrainës kundër forcave ruse, dhe katër orë pas sulmit të fundit ajror rus në kryeqytetin ukrainas që thuhet se nuk çoi në dëme apo viktima. Ne duam të sigurohemi që Ukraina të ketë atë që i nevojitet, jo vetëm për të pasur sukses në kundërsulm, por të ketë atë që i nevojitet për një afat të gjatë, për t'u siguruar që ajo të ketë një mbrojtje të fortë," tha Blinken duke qëndruar përkrah homologut të tij ukrainas Kuleba. “Ne jemi gjithashtu të vendosur të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë ndërsa ata ndërtojnë dhe rindërtojnë një ekonomi të fortë, një demokraci të fortë”, theksoi Blinken. Në reagim ndaj vizitës së Blinken në Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se, "Ne kemi dëgjuar deklarata të përsëritura se amerikanët synojnë të vazhdojnë të ndihmojnë Kievin për aq kohë sa duhet". “Me fjalë të tjera, ata do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në luftë dhe ta zgjatin këtë luftë deri tek ukrainasi i fundit, duke mos kursyer para për këtë. Kështu e perceptojmë ne. Kjo nuk do të ndikojë në rrjedhën e operacionit special ushtarak”, shtoi Peskov. Rusia ka paralajmëruar vazhdimisht se furnizimi i vazhdueshëm me armë dhe pajisje ushtarake perëndimore për ushtrinë ukrainase vetëm sa do ta zgjaste luftën.