Erdogan kërkon të lehtësohen sanksionet kundër Rusisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i148404-erdogan_kërkon_të_lehtësohen_sanksionet_kundër_rusisë
Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar që të lehtësohen sanksionet kundër Rusisë. Në samitin e G20-ës, presidenti turk ka kërkuar që të plotësohen pjesërisht kërkesat e Rusisë për “marrëveshjen e grurit” dhe të lehtësohen sanksionet ndaj Rusisë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 09, 2023 17:56 Europe/Tirane
  • Erdogan kërkon të lehtësohen sanksionet kundër Rusisë

Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar që të lehtësohen sanksionet kundër Rusisë. Në samitin e G20-ës, presidenti turk ka kërkuar që të plotësohen pjesërisht kërkesat e Rusisë për “marrëveshjen e grurit” dhe të lehtësohen sanksionet ndaj Rusisë.

“Po flasim për sigurimin e eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave dhe lidhjen me sistemin SWIFT”, pohoi lideri turk. Kujtojmë se i pari i shtetit të Turqisë është takuar javën e kaluar me liderin rus, ku ka diskutuar edhe për luftën në Ukrainë. Ndërkohë, shefi i zyrës së presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, ka kërkuar që të mos hiqen sanksionet. Ai theksoi se “në këtë situatë forca funksionon dhe jo kompromisi”. Ndërkohë, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov tha të shtunën se Rusia "mban qëndrimin e saj të përgjegjshëm, të qartë dhe të qëndrueshëm, i cili është shprehur vazhdimisht nga presidenti". “Të gjitha kushtet tona janë të njohura mirë. Nuk kanë nevojë për interpretim, janë absolutisht konkrete dhe e gjithë kjo është absolutisht e arritshme”. Marrëveshja e Detit të Zi u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara në korrik 2022 për t'i mundësuar Ukrainës të eksportojë grurë nga deti, pavarësisht luftës me Rusinë. Rusia u tërhoq nga marrëveshja në korrik të këtij viti, duke thënë se kushtet e saj për marrëveshjen nuk ishin përmbushur. Moska u ankua se eksportet e saj bujqësore u përballën me pengesa. Ajo tha se eksportet e saj të drithërave dhe plehrave kimike u përballën me barriera në praktikë për shkak të sanksioneve nga Perëndimi që prekin aksesin në porte, sigurimet, logjistikën dhe pagesat - duke përfshirë heqjen e bankës bujqësore Rosselkhozbank nga sistemi SWIFT. Peskov tha se presidenti Putin “ka thënë qartë se në momentin që ato të përmbushen, atëherë marrëveshja do të rifillojë menjëherë. Por jo anasjelltas.” Rusia dhe Ukraina janë dy nga prodhuesit kryesorë të produkteve bujqësore në botë.