Grevë në sektorin automobilave në SHBA
(last modified Fri, 15 Sep 2023 19:13:48 GMT )
Shtator 15, 2023 21:13 Europe/Tirane
  • Grevë në sektorin automobilave në SHBA

13 mijë punonjës protestuan sot para impiantit të montimit të automjeteve Ford në shtetin e Michigan pas nisjes së një greve të paprecedentë për rrogat, në tre uzina të kompanisë.

Krerët e sindikatës kishin njoftuar prej të mërkurës planet e ndalimit të punës në tre uzinat kryesore të qytetit të Detroit pasi dy palët ishin ende larg një marrëveshjeje. “Nëse nuk arrihet marrëveshja mes sindikatës dhe punëdhënësve, grevat mund të zgjerohen duke shkaktuar një goditje të rëndë ekonomike”, tha një përfaqësues i sindikatës. Sindikatat kanë kërkuar rritje të rrogave të punonjësve në përshtatje me rritjet e drejtorëve vitet e fundit, që arrijnë deri në 40 përqind. Kompania ka propozuar vetëm rritje prej 20 përqind në impiantin e Ford, 18 në atë të GM dhe 17.5 në grupin Stellantis. "Për herë të parë në historinë tonë ne do të godasim të tre të mëdhenjtë," tha presidenti i sindikatës UAW, Shawn Fain, duke shtuar se punëtorët do të vazhdonin dhe zgjeronin grevën nëse shefat nuk do të përmbushnin kushtet e tyre. Prej javësh përfaqësuesit e sindikatës kishin paralajmëruar për qasje të ashpër në negociata, duke kërkuar rritje të konsiderueshëm të rrogës në bazë të fitimeve rekord të kompanisë. Por krerët e industrisë ishin shprehur me tone optimiste për evitimin e grevës duke thënë se tonet e ashpra mund të ishin pjesë e strategjisë së negociatave. Ndërkohë, analistët besojnë se greva është ende në fazat e para dhe nuk konsiderohet një kërcënim serioz, sepse prodhuesit e automjeteve kanë ende shumë makina të stokuara në depot e tyre.