Macron : Ambasadori francez “është marrë peng”
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten se ambasadori francez në Niger është marrë “peng” nga ushtria në pushtet dhe po ushqehet vetëm me “racione ushtarake”.
Ushtria e Nigerit, e cila përmbysi presidentin Mohamed Bazoum dhe mori pushtetin më 26 korrik, urdhëroi dëbimin e ambasadorit francez në fund të gushtit, pasi Parisi refuzoi të përmbushte një ultimatum që kërkonte largimin e tij. Franca që atëherë ka vazhduar të kundërshtojë këtë largim, duke argumentuar se "kjo qeveri nuk kishte autoritet për të mbështetur një kërkesë të tillë", raporton AFP. “Në Niger, teksa po ju flas, ne kemi një ambasador dhe anëtarë diplomatikë që janë marrë peng në ambasadën franceze”, deklaroi kreu i shtetit francez. “Ata po parandalojnë dërgimin e ushqimit. Ai po ushqehet me racione ushtarake”, shtoi Macron, në një aludim për ushtarët që rrëzuan presidentin. Ambasadori Sylvain Itté “nuk ka më mundësi të dalë jashtë, ai është persona non-grata dhe ata refuzojnë ta lejojnë të hajë”, tha Emmanuel Macron. I pyetur për një riatdhesim të mundshëm të ambasadorit në Paris, kreu i shtetit francez përsëriti: “Do të bëj atë që jemi dakord me Presidentin Bazoum sepse ai është autoriteti legjitim dhe flas me të çdo ditë”. Mohamed Bazoum ende konsiderohet nga Franca si kreu legjitim i shtetit të Nigerit. Më 10 shtator, Emmanuel Macron kishte theksuar tashmë se një rishpërndarje e mundshme e forcave franceze të stacionuara në Niger do të vendosej vetëm me kërkesë të Presidentit Bazoum. Autoriteti ushtarak në Nigeri kërkon nga Parisi mosndërhyrje në punët e brendshme të vendit afrikan dhe e konsideron Mohamed Bazoum si "dorën e Francës" në Niger.