Erdogan akuzon BE-në se po largohet nga Turqia
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Bashkimin Evropian se po distancohet nga Turqia. Përpjekjet e Ankarasë për anëtarësim në bllokun evropian kanë ngecur pas kritikave për përpjekjet e Turqisë për të adresuar shqetësimet për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Erdogan kishte marrë një premtim nga Brukseli se bisedimet për anëtarësim, që fillimisht kishin nisur më 2005, do të ringjalleshin, në këmbim të heqjes së bllokadës së Ankarasë për pranimin e Suedisë në NATO. Më herët gjatë këtij muaji, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, vizitoi Turqinë. Gjatë kësaj vizite ai tha se përderisa anëtarësimi ka “një potencial të madh”, blloku evropian kërkon që të shohë veprime të Turqisë sa i përket çështjes së të drejtave të njeriut para se të rinisin bisedimet. Gjatë vizitës së tij në Turqi, Varhelyi tha se “ka kritere shumë të qarta që janë vendosur nga Këshilli Evropian, të cilat do të duhet të adresohen”. “Këto kritere janë të lidhura me demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha ai. “BE-ja po tenton ta distancojë veten nga ne”, tha Erdogan për gazetarët në Stamboll, teksa u nis për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Ne do të bëjmë vlerësimin e situatës dhe ne po ashtu mund të marrim një drejtim tjetër”, tha ai.