Rusia:Tanket amerikane Abrams do të digjen
Rusia tha se tanket amerikane Abrams do të "digjen" në Ukrainë, duke theksuar se këto tanke dhe raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS nuk do ta ndihmojnë Kievin të ndryshojë situatën në fushën e betejës.
Uashingtoni është zotuar t'i sigurojë Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi ATACMS, ndërsa të hënën ish-republika sovjetike mori në dorëzim një grup të tankeve Abrams të prodhuar nga SHBA. Ndërsa raketat ATACMS do të jenë një nxitje e rëndësishme për kapacitetin e Ukrainës për të synuar linjat e furnizimit, bazat ajrore dhe rrjetet hekurudhore në territorin e pushtuar nga Rusia, tanket me motorë reaktivë pritet të forcojnë shumë fuqinë ushtarake të vendit. Megjithatë, Kremlini theksoi të martën se këto armë të avancuara nuk do ta ndihmonin Kievin të ndryshojë rrjedhën e luftës në vazhdim. “E gjithë kjo në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojë në thelbin e luftës dhe rezultatin e saj. Nuk ka asnjë ilaç dhe asnjë lloj arme që mund të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në fushën e betejës”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë shtypi, duke përdorur një akronim për atë që Moska e quan operacionin e saj special ushtarak në Ukrainë. Ai theksoi se forcat e armatosura ruse po përshtateshin vazhdimisht me përdorimin e llojeve të reja të armëve në luftë. “Tanket Abrams janë armë serioze, por mbani mend atë që tha presidenti Vladimir Putin për tanket e tjera të prodhuara në një vend tjetër”, shtoi Peskov, duke iu referuar tankeve të tjera perëndimore të furnizuara Kievit, të cilat përfshijnë Leopard të prodhimit gjerman dhe tanket britanike Challengers. “Epo, edhe tanket Abrams do të digjen”, tha më tej zëdhënësi i Kremlinit.