Shtator 27, 2023 20:57 Europe/Tirane
  • Senatori Menendez në gjykatë për marrje ryshfeti

Senatori Demokrat, Bob Menendez u përball të mërkurën në një Gjykatë Federale të Nju Jorkut me akuzat për marrje ryshfeti ndërsa po shtohen thirrjet brenda Partisë Demokrate për dorëheqjen e tij.

Menendez ka thënë për mediat amerikane se është i pafajshëm dhe se nuk ka në plan të japë dorëheqjen si Senator. Të përfshirë në aktpadinë e prokurorisë federale të Nju Jorkut janë edhe bashkëshortja e Senatorit Menendez, Nadine dhe tre biznesmenë nga Nju Xhersi, të cilët gjithashtu kanë thënë se janë të pafajshëm. Nëse Senatori Menendez shpallet fajtor për të tri akuzat e padisë penale, sipas llogarisë që ka bërë ish prokurori federal Adam Kamenstein, ai mund të marrë dënim maksimal prej 45 vjetësh burgim. Që kur u bë e ditur se është ngritur aktpadia penale zërat që i kanë bërë thirrje senatorit Menendez të japë dorëheqje po shtohen. Prej tyre, ndër më të zëshmit ka qenë Guvernatori i Nju Xhersit, shtet që Menendez e përfaqëson në Senat, i cili ka thënë se akuzat janë aq serioze sa ndikojnë tek aftësia e tij për të përfaqësuar denjësisht popullin e Nju Xhersit. Senatori është larguar përkohësisht nga posti i Kryetarit të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit pasi kështu përcaktojnë rregullat e brendshme të Partisë Demokrate amerikane për zyrtarët që përballen me padi penale. Por Menendez ka refuzuar thirrjet që të japë dorëheqjen si senator duke sqaruar se ai në fakt, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të kandidojë sërish.

 

Tags