BE-ja zgjat për një vit qëndrimin e ukrainasve në bllok
(last modified Fri, 29 Sep 2023 07:05:35 GMT )
Shtator 29, 2023 09:05 Europe/Tirane
  • BE-ja zgjat për një vit qëndrimin e ukrainasve në bllok

Bashkimi Evropian ka zgjatur për një vit të drejtën e refugjatëve nga Ukraina që të qëndrojnë në bllok.

Sipas vendimit, refugjatët ukrainas, që kanë ikur nga shteti si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, do të mund të qëndrojnë në BE deri në mars të vitit 2025. BE-ja mori vendim për mbrojtje të përkohshme të refugjatëve ukrainas disa ditë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ky vendim mundësoi që miliona ukrainas që ikën nga shteti të mund të qëndronin në BE. “BE-ja do të mbështesë popullin ukrainas për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, shteti i të cilit ka kryesimin e presidencës së bllokut evropian. “Vazhdimi i statusit të mbrojtur ofron siguri për më shumë se 4 milionë refugjatë që kanë gjetur strehë në BE”, shtoi ai. Vendimi i BE-së, përveç qëndrimit në bllok, u mundëson ukrainasve që të kenë qasje në vende të punës, kujdes shëndetësor dhe edukim.

 

Tags