Rusia planifikon të dërgojë burime masive në luftën e Ukrainës
Rusia ka zbuluar planin e saj për të derdhur burime masive në ofensivën e saj në Ukrainë për të luftuar atë që ajo e quan një "luftë hibride" të nisur nga Perëndimi, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.
Ministria e Financave e Rusisë, sipas një dokumenti të publikuar të enjten, zbuloi se shpenzimet e mbrojtjes për "operacionin special ushtarak" të Moskës në Ukrainë, do të rriten me më shumë se 68 përqind nga viti në vit në pothuajse 10.8 trilion rubla (111.15 miliardë dollarë).“Fokusi i politikës ekonomike po zhvendoset nga një axhendë anti-krizë në promovimin e synimeve të zhvillimit kombëtar”, tha ministria në dokument. Ajo shtoi se një vendim i tillë përfshin "forcimin e kapacitetit mbrojtës të vendit" dhe "integrimin" e Luhanskut, Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias. Katër rajonet e Ukrainës u aneksuan në Federatën Ruse vitin e kaluar pas referendumeve lokale në këto rajone, të cilat ende nuk kanë rënë plotësisht nën kontrollin rus. Rritja e madhe e këtyre shpenzimeve është më shumë se shpenzimet e alokuara për politikën sociale në Rusi. “Është e qartë se një rritje e tillë është e nevojshme, absolutisht e nevojshme sepse ne jemi në një gjendje lufte hibride dhe po vazhdojmë operacionin special ushtarak”, tha të enjten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Po i referohem luftës hibride që është nisur kundër nesh,” shtoi ai. Sipas shifrave dhe llogaritjeve të AFP-së, shpenzimet e mbrojtjes së Rusisë në vitin 2024 janë vendosur në total rreth tre herë më shumë se shpenzimet për arsimin, mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesin shëndetësor të kombinuara.