Trump informon miliarderin australian për nëndetëset bërthamore amerikane
ABC News të premten zbuloi se ish-presidenti i SHBA Donald Trump tre muaj pas largimit nga detyra ndau informacione potencialisht të ndjeshme për nëndetëset bërthamore amerikane me miliarderin australian Anthony Pratt.
Këshilltari special Jack Smith, i cili po heton ruajtjen e dokumenteve të klasifikuara në rezidencën Trump, është informuar për këtë çështje dhe e ka hetuar atë, thanë burimet për ABC News. Prokurorët dhe zyrtarët e FBI-së këtë vit kanë intervistuar dy herë Anthony Pratt, një anëtar i Maralago Club (Rezidenca e Trump) dhe miliarder australian. Pratt është kreu i Pratt Industries, një nga kompanitë më të mëdha të paketimit në botë, me seli në Shtetet e Bashkuara. Pratt tha se ai foli me Trump për flotën e marinës amerikane në prill 2021. Sipas burimeve të informuara, Trump i tha Pratt se ai besonte se Australia duhet të fillojë të blejë nëndetëse bërthamore nga Shtetet e Bashkuara. Ai i kishte dhënë miliarderit australian informacion se sa koka bërthamore mbajnë zakonisht këto nëndetëse dhe saktësisht se sa larg nuk mund të gjurmohen pranë nëndetëseve ruse. Pas kësaj, Pratt ua zbuloi këtë informacion në një bisedë ose email të paktën 45 personave, duke përfshirë 6 gazetarë, 11 punonjës të kompanisë së tij, 10 zyrtarë australianë dhe tre ish-kryeministra të Australisë. Pratt u tha hetuesve se ishte i habitur që Trump po jepte këtë informacion të ndjeshëm për një shtetas jo amerikan. Kontrata për shitjen e nëndetëseve bërthamore amerikane në Australi u finalizua këtë vit dhe u ra dakord që Canberra të blinte të paktën tre nëndetëse bërthamore të klasit Virginia. Por administrata e presidentit amerikan Joe Biden tha se asnjë nga këto nëndetëse nuk do të mbajë armë bërthamore.