Dhjetor 25, 2023 19:59 Europe/Tirane
  • Papa Françesku: T’i jepet zgjidhje situatës së dëshpëruar humanitare në Gaza

Papa Françesku në mesazhin e tij të Krishtlindjes më 25 dhjetor shprehu keqardhje për “situatën e dëshpëruar humanitare” për palestinezët në Gazë dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve.

“Zemra ime pikëllon për viktimat e sulmit të neveritshëm të 7 tetorit dhe përsëris apelin tim urgjent për çlirimin e atyre që ende mbahen peng”, tha Papa 86-vjeçar, në mesazhin e tij të përvitshëm për Krishtlindje.

“Unë bëj thirrje që t’u jepet fund operacioneve ushtarake me të korrat e tyre të tmerrshme të viktimave të pafajshme civile dhe bëj thirrje për një zgjidhje të situatës së dëshpëruar humanitare duke lejuar furnizimin e ndihmave humanitare”, u tha ai mijëra besimtarëve të mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Papa bëri thirrje gjithashtu për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez “përmes dialogut të sinqertë dhe këmbëngulës midis palëve, të mbështetur nga vullneti i fortë politik dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar”.

Kreu i katolikëve në fjalimin e tij foli gjithashtu për konfliktet në Siri, Liban dhe Jemen duke thënë se ai lutej “që së shpejti të arrihet stabiliteti politik dhe social”.

Papa Françesku tha gjithashtu se ai kërkon “paqe për Ukrainën”, e cila po feston Krishtlindjet më 25 dhjetor për herë të parë, duke shpërfillur datën tradicionale ortodokse të 7 janarit të kremtuar në Rusi.

“Le ta ripërtërijmë afërsinë tonë shpirtërore dhe njerëzore me njerëzit e saj të përvuajtur, në mënyrë që me mbështetjen e secilit prej nesh, ata ta ndjejnë realitetin konkret të dashurisë së Zotit”, tha ai.

 

Tags