Janar 02, 2024 08:56 Europe/Tirane
  • 20 të vdekur dhe 40 të plagosur nga tërmeti në Japoni

Autoritetet japoneze të martën njoftuan se me nxjerrjen e trupave të rinj nga rrënojat e shkaktuara nga tërmeti me magnitudë 7.6 ballë, numri i viktimave të këtij incidenti u rrit në 20 dhe numri i të plagosurve në mbi 40.

Sipas IRNA, duke cituar Reuters, tërmeti në Japoni që ndodhi në ditën e parë të vitit të ri shkatërroi ndërtesat, ndërpreu energjinë elektrike në dhjetëra mijëra shtëpi dhe detyroi banorët e disa zonave bregdetare që të largohen nga shtëpitë e tyre. Ky tërmet ka ndodhur rreth orës 16:10 të së hënës pasdite me orën Japonisë dhe ka tronditur edhe ndërtesat në qendër të Tokios.  Intensiteti maksimal i këtij tërmeti është regjistruar në Gadishullin Noto në Ishikawa dhe deri më tani kanë ndodhur më shumë se 150 pasgoditje. Kryeministri japonez Fumio Kishida u tha gazetarëve se ai kishte urdhëruar ekipet e kërkim-shpëtimit të bënin gjithçka që ishte e mundur për të shpëtuar jetë, megjithëse qasja në zonat e goditura nga tërmeti ishte e vështirë për shkak të rrugëve të bllokuara. Qeveria japoneze ka njoftuar se të hënën ka urdhëruar evakuimin e më shumë se 97,000 njerëzve në nëntë prefektura në bregun perëndimor të ishullit japonez, Honshu. Koreja e Jugut, Rusia dhe Koreja e Veriut lëshuan gjithashtu paralajmërime për cunami në disa zona pas tërmetit në Japoni.

Tags