Protesta masive në Gjermani
https://parstoday.ir/sq/news/world-i153624-protesta_masive_në_gjermani
Megjithë faktin që qeveria gjermane ka bërë lëshime, shoqatat e fermerëve kanë paralajmëruar për nesër fillimin e protestave të mëdha në të gjithë Gjermaninë.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Janar 07, 2024 19:50 Europe/Tirane
  • Protesta masive në Gjermani

Megjithë faktin që qeveria gjermane ka bërë lëshime, shoqatat e fermerëve kanë paralajmëruar për nesër fillimin e protestave të mëdha në të gjithë Gjermaninë.

Protestat do të zgjasin një javë, ndërsa manifestimi qendror do të mbahet me 15 janar. Autoritetet llogarisin me pengesa të mëdha në rrugë dhe me bllokada të rrugëve e autostradave, si dhe pengesa të shumta në institucione të tjera.

Ministri i Financave dhe kreu i FDP, Christian Lindner kritikoi protestat e paralajmëruara. Partitë e Unionit, nga ana tjetër, mbështesin fermerët. Autoritetet federale i frikësohen radikalizimit dhe infiltrimit të qarqeve ekstremiste në protesta.

Autoritetet policore në mbarë vendin presin bllokime rrugore dhe veprime të mëtejshme me traktorë dhe pajisje të tjera bujqësore. Priten edhe bllokada “në shumicën e hyrjeve të autostradave”. “Për të siguruar furnizime për popullatën”, autoritetet lejuan transportin e mallrave në distanca të gjata edhe të dielën, që zakonisht nuk lejohet. Sindikata e policisë ka frikë se policia do të mbingarkohet. “Shumë veprime jo vetëm që shkojnë shumë përtej këndvështrimit ligjor, por paraqesin edhe rrezik trafiku dhe një kërcënim për sigurinë dhe rendin publik,” shpjegoi anëtari i sindikatës së policisë Thorsten Grimm. Këto bllokada mund të pengojnë shumë punonjës të shkojnë në vendet e punës. E në disa vende është paralajmëruar edhe mbyllja e shkollave dhe disa institucioneve të tjera.

Shoqata Gjermane e Fermerëve (DBV) ka bërë thirrje për një javë protesta mbarëkombëtare kundër politikave të qeverisë federale. Zemërimi i fermerëve u ndez nga shkurtimet e planifikuara të subvencioneve në vazhdën e krizës buxhetore. Qeveria federale tani i ka tërhequr kryesisht planet, por DBV nuk ka hequr dorë nga protestat.

Protestave pritet t’u bashkohen edhe sektorë të tjerë, si shoqatat e peshkimit dhe disa shoqata të hoteleve dhe restoranteve.