Erdogan: Operacioni anti-Mossad i Turqisë befasoi seriozisht Izraelin
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është shprehur për ndalimin e fundit të individëve të dyshuar për spiunazh për Mossad-in e Izraelit nga shërbimi i inteligjencës së Turqisë, duke thënë se operacioni ka befasuar seriozisht Tel Avivin.
Erdogan i bëri komentet gjatë një fjalimi për shënimin e 97-vjetorit të themelimit të Organizatës Kombëtare të Inteligjencës të Turqisë (MIT) në kryeqytetin Ankara, duke iu referuar ndalimit të 34 të dyshuarve në një operacion të koordinuar në Stamboll dhe shtatë provinca të tjera në fillim të këtij muaji.
"Shërbimi ynë i inteligjencës, i cili zbuloi rrjetin e spiunazhit të Izraelit në vendin tonë, u ka dhënë përgjigjen më të mirë atyre që na kërcënojnë," tha Erdogan.
“Sigurisht që operacioni e befasoi seriozisht Izraelin. Por prisni, këta janë hapat e parë. Do ta njihni shumë mirë Turqinë”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se operacione të reja kundërspiunazhi kundër rrjeteve të supozuara të spiunazhit izraelit mund të jenë duke u zhvilluar.
Më 2 janar, policia turke arrestoi 34 persona me akuzën e spiunazhit për agjencinë e Izraelit Mossad, disa javë pasi regjimi i Tel Avivit kërcënoi se do të synonte anëtarët e lëvizjes palestineze të rezistencës Hamas që jetonin jashtë vendit, përfshirë ata në Turqi.