OKB bën thirrje për zgjidhje me dy shtete
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka përsëritur thirrjen për zgjidhje me dy shtete, teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e ka refuzuar sërish mundësinë e një shteti sovran palestinez.
“E drejta e popullit palestinez për të ndërtuar shtetin e tyre, duhet të njihet prej të gjithëve”, ka thënë Guterres të shtunën në Kampala, në një takim me kombet që kanë qenë neutrale gjatë Luftës së Ftohtë.
“Refuzimi për të pranuar zgjidhjen me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët, dhe mohimi i të drejtës së shtetësisë së popullit palestinez, janë të papranueshme”, tha Guterres.
Sipas tij , mohimi i zgjidhjes me dy shtete po zgjat konfliktin, që është kthyer në kërcënim për paqen dhe sigurinë global, dhe po kontribuon në polarizim dhe forcim të ekstremizmit në çdo vend.
Ai i ka përsëritur thirrjet për armëpushim të menjëhershëm në betejën në mes të Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Për dallim prej Guterresit, Netanyahu e mohon në vazhdimësi idenë e një shteti palestinez, pasi të përfundojë konflikti në Gazë.