Janar 28, 2024 20:19 Europe/Tirane
  • Politikani gjerman: Kontinenti europian të krijojë ombrellë bërthamore

Vetëm dy vende në Europë kanë armë bërthamore, Franca që është pjesë e Bashkimit Europian dhe Anglia e shkëputur prej tij.

NATO-ja vetë aktualisht varet shumë nga kokat bërthamore amerikane të cilat janë vendosur në gjashtë baza ajrore ushtarake në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi. Kreu gjerman i Partisë Popullore Europiane, PPE, Manfred Weber i qendrës së djathtë bën thirrje që evropianët të përgatiten për luftë duke e menduar veten edhe pa mbështetjen e SHBA-së.

Që kjo të ndodhë, argumenton ai, kontinenti i vjetër duhet të ndërtojë ombrellën e tij bërthamore. Edhe më shumë e përforcon këtë bindje të tij perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Ish-presidenti republikan i SHBA-së e pati shfaqur hapur skepticizmin e tij ndaj NATO-s, duke kërcënuar madje sipas Politico-s, se nuk do t’i dilte në mbrojtje Evropës në rast se do të sulmohej.

“Ne e duam NATO-n, por gjithashtu duhet të jemi të fortë që të arrijmë të mbrohemi edhe pa të në kohën e Trumpit”, tha Weber.

“Pavarësisht se kush fiton zgjedhjet në Amerikë, Evropa duhet të jetë në gjendje të qëndrojë më vete në aspektin e politikës së jashtme dhe të jetë në gjendje të mbrohet në mënyrë të pavarur”, shtoi ai. Sipas Weberit, "duhet pranuar realiteti se kur vjen momenti që situata bëhet kritike, opsioni bërthamor është me të vërtetë vendimtar".

 

Tags