Zelensky: Rusia ka shtuar sulmet ndaj Ukrainës
(last modified Tue, 30 Jan 2024 18:46:00 GMT )
Janar 30, 2024 19:46 Europe/Tirane
  • Zelensky: Rusia ka shtuar sulmet ndaj Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën se Rusia i ka hedhur gati 1.000 raketa dhe dronë në drejtim të Ukrainës prej fillimit të këtij viti.

Disa rajone ukrainase lëshuan sirenat e alarmit për të paralajmëruar rrezikun për sulme ajrore të martën, pak orë pasi tre civilë u vranë nga sulmet ajrore ruse.

“Rusia i ka shkrepur 330 raketa të llojeve të ndryshme dhe rreth 600 dronë luftarakë mbi qytetet ukrainase që prej fillimit të këtij viti”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.

“Për t’i bërë ballë një trysnie të tillë terroriste, nevojitet një mbrojtje tejet e fuqishme ajrore. Dhe pikërisht këtë mbrojtje ajrore po e ndërtojmë me partnerët tanë”, shtoi ai.

Një burrë u vra dhe bashkëshortja e tij u plagos në mëngjesin e së martës si pasojë e bombardimeve ruse në fshatin Veletenske në rajonin jugor të Ukrainës, Herson, njoftoi zyra e prokurorit rajonal.

Ndërkohë, guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin tha se forcat ruse i shkrepën 272 predha në Herson. Në rajonin lindor Donjeck u vra një civil dhe u plagos një tjetër nga bombardimet ruse mbi vendbanimet Mirnohrad , tha Vadim Filashin, guvernatori i rajonit të kontrolluar nga Ukraina të martën.

 

Tags