Shkurt 09, 2024 08:40 Europe/Tirane
  • Volodymyr Zelensky shkarkoi kryekomandantin e ushtrisë ukrainase

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të enjten shkarkoi komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura të vendit Valery Zalogeny.

The Guardian raportoi se shkarkimi i Zalogeny vjen mes spekulimeve të mediave për dallime serioze midis tij dhe Zelensky. Që nga shkurti i vitit 2022, Zalogeny ka udhëhequr ushtrinë ukrainase në luftën me Rusinë. Valery Zalogeny do të zëvendësohet nga Oleksandr Syrskyi, i cili shërben si komandant i forcave tokësore të Ukrainës që nga viti 2019. Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rostam Umarov në një deklaratë duke konfirmuar largimin e Zalogeny nga ky pozicion tha: “Gjenerali Valery Zalogheny kishte një nga detyrat më të vështira, atë të drejtimit të forcave të armatosura të Ukrainës gjatë Luftës së Madhe me Rusinë. Por lufta nuk qëndron e njëjtë. Lufta ndryshon dhe kërkesat ndryshojnë. Ky veprim i Presidentit të Ukrainës vjen pas tensioneve mes tij dhe Zalogeny pas dështimit të kundërsulmit të Ukrainës, përballjes së vendit me sulmin e rinovuar të Rusisë, mungesës së fuqisë punëtore dhe municionit, si dhe pezullimit të ndihmës amerikane në Kongres. Sipas burimeve të informuara, tensionet mes Zelensky dhe komandantit të tij të lartë janë rritur prej muajsh. Zalogeny rrallëherë bënte deklarata publike apo intervista, por kur e bënte shpesh zemëronte zyrën e presidentit. Në një intervistë me The Economist në fund të vitit të kaluar, Zalogeny e përshkroi luftën si një "ngërç", një përshkrim që Zelensky e hodhi poshtë kategorikisht. Valery Zalogeny vlerësohej shumë në mesin e ushtarëve të vijës së parë dhe ishte i njohur për guximin, përulësinë dhe humorin e tij dhe u bë një legjendë në shoqërinë ukrainase. Zalogeny njihej si "Gjenerali i Hekurt" në Ukrainë dhe kjo ishte e rrezikshme për Zelensky. Disa analistë e kanë konsideruar këtë popullaritet si një nga arsyet e mundshme që mund ta kenë inkurajuar Zelensky për ta shkarkuar atë. Zalogeny përmendet në disa qarqe si një rival i mundshëm për presidentin e Ukrainës. Seymour Hersh, një gazetar investigativ amerikan, kohët e fundit citoi burimet e tij të thoshin se presidenti i Ukrainës dëshiron të shkarkojë gjeneralin e tij të lartë për shkak të negociatave sekrete që ai zhvilloi me Perëndimin për t'i dhënë fund konfliktit me Rusinë, si dhe shpalljes së gatishmërisë së disa zyrtarëve amerikanë për ta ndihmuar në një luftë për pushtet me Zelensky. Zalogeny të enjten në kanalin e tij Telegram shkroi: “Detyrat e vitit 2022 janë të ndryshme nga detyrat e vitit 2024. Prandaj, të gjithë duhet të ndryshojnë dhe të përshtaten me realitetet e reja. Së fundmi jemi takuar me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Kjo bisedë ishte e rëndësishme dhe serioze. U vendos që ne duhet të ndryshojmë qasjet dhe strategjinë tonë”. Thuhet se ShBA nuk e kundërshtuan largimin e Zalogenit. Dy burime të premten thanë se qeveria ukrainase kishte njoftuar Shtëpinë e Bardhë për qëllimin e saj për të hequr Zalogeny nga detyra. Reuters më parë raportoi se largimi i Zalogeny mund të dëmtojë moralin e forcave ukrainase që luftojnë për të mbajtur pozicione përgjatë vijës së frontit 1000 kilometra kundër një force masive ruse të pajisur me rezerva të mëdha municionesh.

Tags