Evropa qendrore nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë
(last modified Tue, 27 Feb 2024 19:39:51 GMT )
Shkurt 27, 2024 20:39 Europe/Tirane
  • Evropa qendrore nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë

“Ne nuk do të dërgojmë trupa ushtarake në Ukrainë” tha sot kryeministri çek Petr Fiala, pasi Emmanuel Macron tha se “nuk përjashtohet” dërgimi i trupave të NATO-s në terren atje.

Fiala kryesonte takimin e kryeministrave të Çekisë, Polonisë, Hungarisë e Slovakisë, i njohur ndryshe si grupi Visegrad i vendeve të Evropës qendrore. Kryeministri polak Donald Tusk dukej se mbështeste komentet e Fiala duke thënë se “hezitimi për të dërguar trupa, është i gjerë në rajon".

Çështja e re e përfshirjes së hapur të trupave të NATO-s në luftën në Ukrainë, erdhi pas një komenti të presidentit francez Emmanuel Macron që tha se ‘refuzonte të përjashtonte mundësinë’ e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë, sipas tij “për të ndaluar që Rusia të fitojë luftën”.

Katër vendet evropiano-qendrore thanë sot se nuk do të dërgojnë trupa dhe ishin të ndarë në lidhje me ndihmat ushtarake.

Çekia e Polonia kërkonin shtim të dërgimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, kurse Slovakia e Hungaria ishin kundër, shkruan rrjeti AFP.

Në takimin e grupit Visegrad, kryeministri hungarez Viktor Orban tha se vendi i tij “nuk do të dërgojë armë apo ushtarë në Ukrainë”.

Tusk dhe Fiala mbështetën idenë e sekuestrimit të fondeve ruse nëpër botë, duke thënë se arrinin në $300 miliardë, me të cilat mund të ndihmohej Ukraina.

Grupi Visegrad është themeluar në vitin 1991, dy vjet pasi Çekosllovakia, Hungaria e Polonia ndërruan sistemin komunist pas katër dekadash.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se forcat e Moskës kanë marrë kontrollin e vendbanimit Sieverne, në perëndim të qytetit të Avdiivka në rajonin lindor të Donetskut.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në Kiev ende nuk ka konfirmuar tërheqjen e Ukrainës nga zona, por pamjet e shpërndara në mediat sociale dhe të gjeolokuara nga CNN treguan forcat ruse brenda vendbanimit të vogël.  Blogerët ushtarakë pro-ukrainas kanë raportuar gjithashtu humbjen e fshatit.

Ky është fshati i dytë që bie në rajonin e Donetskut në perëndim të Avdiivka në ditë të njëpasnjëshme. Të hënën, forcat ukrainase  u tërhoqën nga fshati Lastochkyne. Forcat ruse po intensifikojnë sulmet dhe po vazhdojnë drejt perëndimit. Lastochkyne ndodhet afër qytetit Avdiivka, ku Rusia ngriti flamurin e saj  më 18 shkurt.

 

Tags