Erdogan: Gati të rikthej bisedimet Rusi-Ukrainë
Samitin e zhvilluar në Tiranë për Ukrainën e ka përshëndetur përmes një videomesazhi edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan.
Nëpërmjet një videomesazhi të dëgjuar përgjatë samitit, Erdogan tha se ai është gati që të rikthejë palët në tryezën e diskutimeve, duke iu referuar Ukrainës e Rusisë.
“Jemi gati të rikthejmë palët në tryezën e negociatave, ashtu siç e bëmë në fillim të luftës në Stamboll. Dua të përshëndes pjesëmarrësit në këtë samit, në mënyrë të veçantë mikun tim, Kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë ata që kanë kontributin e tyre në organizimin e këtij samiti”, tha Erdogan.
Erdogan ka rikonfirmuar mbështetjen për sigurinë dhe sovranitetin territorital të shtetit të Ukrainës dhe i qëndroi premtimit të tij për të kontribuar në rindërtimin e Ukrainës. Po ashtu Erdogan mbështeti planin e paqes me 10 pika të Zelenskyt.
"Ne duhet të përdorim të gjitha kanalet diplomatike për të arritur qëllimet tona. Unë besoj në përpjekjet tona të përbashkëta për të caktuar një kornizë të përgjithshme të paqes. Në parim, ne mbështesim planin me 10 pika të paqes të Presidentit Zelensky. Ne gjithashtu, kemi qenë mbështetës të planit të tij për të garantuar sigurinë ushqimore. Që Plani i Paqes të ketë sukses, ai duhet të përfshijë të gjitha palët”, tha presidenti turk.
Erdogan shtoi ndër të tjera se Turqia mbetet në kontakt me palët në Detin e Zi dhe do të punojë për vendosjen e sigurisë.