Mars 13, 2024 18:51 Europe/Tirane
  • Scholz: Gjermania nuk duhet të përfshihet drejtpërdrejt në luftë

Kancelari gjerman Olaf Scholz i qëndroi vendimit të tij për të mos dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi Taurus në Ukrainë, duke u thënë deputetëve gjermanë se maturia nuk është dobësi.

Gjermania është bërë furnizuesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas Shteteve të Bashkuara, por Scholz ka ngecur për muaj të tërë në dëshirën e Ukrainës për raketat Taurus, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra (310 milje) dhe teorikisht mund të përdoren kundër objektivave të largëta.

Ky qëndrim ka frustruar bllokun kryesor të opozitës së qendrës së djathtë dhe pjesë e koalicionit trepartiak të Scholz. Kritikat nuk u zvogëluan edhe pasi Scholz më në fund ofroi një shpjegim të detajuar muajin e kaluar, duke vënë në dukje këmbënguljen e tij se Gjermania nuk duhet të përfshihet drejtpërdrejt në luftë.

“Nga këndvështrimi im, raketa Taurus është një armë me rreze të gjatë veprimi,” i tha ai dhomës së ulët të Bundestagut. “Duke pasur parasysh rëndësinë që mos të humbim kontrollin mbi objektivat, kjo armë nuk mund të përdorej pa dislokimin e ushtarëve gjermanë. Unë e refuzoj atë”, shtoi kancelari gjerman.

Duke theksuar kontributet e gjera të Gjermanisë në mbrojtjen e Ukrainës, Scholz tha se mbetet thelbësore llogaritja e çdo lloj vendimi individual.

 

Tags