Mars 16, 2024 20:02 Europe/Tirane
  • Europa konfiskon asetet e ngrira ruse

Asetet e ngrira ruse do të përdoren nga BE për të financuar blerjen e armatimeve për Kievin.

Pohimin e bëri kancelari gjerman Olaf Scholz pas një takimi në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin polak, Donald Tusk.

 “Përfitimet nga asetet e ngrira të Rusisë në Europë, do të përdoren për blerjen e armëve…Një sinjal i qartë që shkon për Moskën është se presidenti rus duhet të dijë se ne nuk do të heqim dorë nga mbështetja jonë për Ukrainën”, tha Olaf Scholz.

Shefi i Elizesë i përforcoi komentet e kreut të ekzekutivit gjerman.

“Ne do të bëjmë gjithë çfarë është e nevojshme për të mos lejuar që Rusia ta fitojë këtë luftë. Ne do të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj për sa kohë të jetë e nevojshme, ashtu siç kemi bërë që nga dita e parë e këtij konflikti”, tha Emmanuel Macron, presidenti i Francës.

Mbështetja europiane për Kievin po merr tani rol qendror pas presidenti amerikan, Joe Biden, po has në vështirësi të bindë Kongresin të aprovojë paketën 60 miliardë dollarëshe të ndihmës për Kievin. Zyrtarët e Perëndimit po lëvizin drejt konfiskimit të aseteve të ngrira financiare të Rusisë, në vlerë rreth 300-350 miliardë dollarëve, të cilat do të përdoren për Ukrainën. Liderët e BE-së mund ta japin dritën jeshile për një vendim të tillë në fund të këtij muaji.

 

Tags