Mars 25, 2024 19:46 Europe/Tirane
  • Përfundon pa rezultat takimi trepalësh në Bruksel

Ka përfunduar në Bruksel takimi mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb Petar Petkoviç të cilët në ndërmjetësimin e BE-së diskutuan për çështjen e heqjes së dinarit serb.

Bislimi tha se mendon se duhet edhe një tjetër takim për çështjen e dinarit dhe se ende nuk është gjetur një pikë e afërt me Serbinë në propozimet e bëra për zgjidhjen e ngërçit në përparimin e dialogut.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, palët kanë diskutuar për dy propozime, por nuk preferoi të jepte detaje.

Ndërsa Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.

“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.

 

Tags