Mars 31, 2024 20:51 Europe/Tirane
  • Bullgaria dhe Rumania i bashkohen pjesërisht Schengenit

Bullgaria dhe Rumania zyrtarisht i janë bashkuar pjesërisht zonës evropiane të udhëtimit pa viza, Schengen.

Ky vendim, që është përshëndetur gjerësisht në dy shtetet dhe në Bashkimin Evropian, hyn në fuqi pas negociatave që zgjatën për vite të tëra.

“Ky është një sukses i madh për të dyja shtetet. Një moment historik për zonën Schengen – zonën më të madhe në botë të lëvizjes së lirë. Së bashku, ne po ndërtojmë një Evropë më të fortë e më të bashkuar për të gjithë qytetarët tanë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një deklarate të lëshuar më 30 mars.

Që nga mesnata ka lëvizje të lirë të atyre që udhëtojnë me avionë dhe anije në të dyja shtetet, por jo përmes rrugëve tokësore.

Kjo për shkak të kundërshtimit të Austrisë, pasi Vjena ka argumentuar se rrugët tokësore të Rumanisë dhe Bullgarisë mund t’ua bëjnë më të lehtë migrantëve të hyjnë në shtetet e tjera të BE-së.

Si Bullgaria, ashtu edhe Rumania, që nisën negociatat për të hyrë në Schengen më 2011, po shpresojnë që kufijtë tokësorë të jenë të hapur deri në fund të vitit 2024.

Rumania dhe Bullgaria janë shtetet e vetme të BE-së që nuk përfitojnë plotësisht nga favoret e traktatit Schengen.

 

Tags