Prill 02, 2024 20:50 Europe/Tirane
  • Rusia dhe Kina dënojnë sulmin izraelit në konsullatën e Iranit

Rusia, Kina dhe disa vende të rajonit kanë dënuar ashpër sulmin izraelit që kishte në shënjestër konsullatën iraniane në Siri, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme për rajonin e Azisë Perëndimore.

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të indinjuar nga sulmi izraelit në ndërtesën konsullore të Republikës Islamike të Iranit në Damask që shkaktoi viktima dhe shkatërroi ndërtesën”, tha në një deklaratë ambasada ruse në Teheran.

Deklarata theksoi se sulmi përbën një shkelje flagrante të të gjitha bazave të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Vjenës që garanton sigurinë e objekteve diplomatike dhe konsullore, duke paralajmëruar se ky veprim mund të nxisë tensionet në rajon.

Ministria e Jashtme e Rusisë theksoi se "veprime të tilla agresive nga Izraeli janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të ndalen".

“Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes izraelite që të heqë dorë nga praktika e veprimeve provokuese ushtarake në territorin e Sirisë dhe vendeve të tjera fqinje”, thuhet më tej në deklaratë.

Kina e dënoi gjithashtu sulmin, me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin që theksoi: "Siguria e institucioneve diplomatike nuk mund të cenohet dhe sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të respektohen".

Ndërkohë, Pakistani gjithashtu dënoi fuqishëm sulmin izraelit si "akt të papërgjegjshëm", duke e quajtur atë "një përshkallëzim të madh në një rajon tashmë të paqëndrueshëm".

“Sulmi është një shkelje e papranueshme e sovranitetit të Sirisë dhe minon stabilitetin dhe sigurinë e saj. Është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së. Sulmet kundër diplomatëve apo objekteve diplomatike janë gjithashtu të paligjshme sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, tha ministria e jashtme e Pakistanit në një deklaratë të martën.

Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite shprehu të martën “refuzimin kategorik të Mbretërisë Saudite për shënjestrimin e objekteve diplomatike për çdo justifikim dhe nën çdo pretekst, sepse ky veprim është shkelje e ligjeve diplomatike ndërkombëtare dhe rregullave të imunitetit diplomatik”.

Iraku, Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania dhe Katari si dhe lëvizjet e rezistencës denoncuan gjithashtu sulmin izraelit që vrau shtatë këshilltarë ushtarakë të Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC).

 

Tags