Prill 25, 2024 11:26 Europe/Tirane
  • Erdogan: Marrëdhëniet tregtare mes Turqisë dhe Izraelit janë ndërprerë

Duke vënë në dukje se lufta e Gazës është një kërcënim për të gjithë rajonin, presidenti turk tha se marrëdhëniet tregtare të vendit të tij me regjimin sionist janë ndërprerë.

Sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu Ajansi, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, në një konferencë për shtyp me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili ka vizituar Ankaranë, duke iu referuar miratimit të kufizimeve të mëtejshme për eksportet nga Turqia në Izrael, deklaroi: "Ne nuk i vazhdojmë më marrëdhëniet e gjera tregtare (me Izraelin), këto marrëdhënie kanë përfunduar".

Rexhep Tajip Erdoğan theksoi: "Ajo që po ndodh në Gaza është një mizori e pashembullt. Netanyahu kërcënon sigurinë e të gjithë rajonit, duke përfshirë edhe popullin e tij, dhe në këtë mënyrë dëshiron të zgjasë jetën e tij politike".

Duke iu referuar reagimit të fundit të Iranit ndaj regjimit sionist, presidenti i Turqisë tha: "Konfliktet mes Iranit dhe Izraelit janë shembull i rreziqeve të luftës së Gazës për stabilitetin dhe paqen e rajonit".

Erdogan theksoi gjithashtu vazhdimin e përpjekjeve të Turqisë për të lehtësuar shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe grupeve palestineze dhe tha: "Ne po punojmë për shkëmbimin e pengjeve dhe shpresojmë të kemi sukses në këtë fushë".

Presidenti i Turqisë më tej shtoi: "Ne do të vazhdojmë përpjekjet për të vendosur një armëpushim në Gaza dhe për të dërguar ndihma humanitare në mënyrë të pandërprerë dhe të mjaftueshme për popullin palestinez. Qeveria izraelite nuk duhet të lejohet të fshehë nga mendja e publikut krimet e tyre kundër njerëzimit dhe masakrat e kryera në Gaza".

 

Tags